Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se një pacient pozitiv me COVID-19 është afër shërimit.

Sipas ministrit Vitia, njëri nga pacientët me COVID 19 ka rezultuar negative në testin e parë.

Sipas ministrit ky pacient duhet të dalë negativ edhe në testin kontrollues dhe do të jetë personi i parë i shëruar nga coronavirusi në Kosovë.

“Në ndërkohë kemi rezultatin e parë NEGATIV të njërit nga pacientët me COVID 19 pozitiv. Nevojitet edhe testi kontrollues dhe me shpresë që do të kemi pacientin e parë të shëruar me COVID 19 në Kosovë”, ka shkruar ministri Vitia.

Sot me 25.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tridhjetë e katër (34) mostra të marra të rasteve nga terreni dhe në Klinikën Infektive. Po vazhdon testimi i të gjithë kontakteve të identifikuara, të personave me COVID 19. Sot nga këto mostra tetë (8) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive duke e çuar numrin e të prekurve me coronavirus në 71.