Kombëtarja e Kosovës u21 nesër do të luajë ndaj Anglisë u21.

Anglia do të jetë vendase në këtë sfidë, ku do ta presë Kosovën në ‘KCOM Stadium’, me fillim nga ora 20:45, përcjell GazetaBlic.

Lojtarët e Rafet Prekazit aktualisht ndodhen në vendin e parë në grupin për kualifikime në kampionatin evropian, pasi kanë dy fitore në dy takimet e para, kurse Anglia ka zhvilluar vetëm një takim ndaj Turqisë – të cilin e ka fituar me rezultatin 2-3.

Mbrojtësi i majtë i kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati beson se ‘Dardanët’ do të vazhdojnë ecurinë e ndeshjeve pa humbje edhe në këtë sfidë.

“Është një sfidë shumë e vështirë, e kemi të qartë se Anglia ka lojtarë me shumë talent”, tha fillimisht Kastrati.

“Megjithatë ne shpresojmë të vazhdojmë të jemi të pamposhtur. Nesër nuk është aspak lojë e lehtë, por ne do të mundohemi të luajmë sa më mirë dhe në fund të marrim një rezultat pozitiv”, vazhdoi 20 vjeçari nga Malisheva.

“Kemi shanse të mira, siç kanë edhe ata, kush e ka përgatit lojën më mirë do ta fitojë ballafaqimin”, përfundoi Kastrati.

Kastrati është një ndër lojtarët më të mirë të Kosovës u21. Ai paraqitet tek skuadra e Bologna Primavera në Itali.