Kanë nisur bisedimet mes Rizespor dhe Galatasaray për Vedat Muriqin.

Shumë klube të mëdha evropiane janë duke u interesuar për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas sezonit mbresëlënës me Rizesporin ku shënoi 17 gola dhe dhuroi edhe 8 asistime.

Pas interesimit të Fenerbahçes, ku u raportua madje se është edhe afër afrimit të kosovarit, seriozisht në garë ka hyrë edhe Galatasaray.

Këtë e ka konfirmuar edhe Presidenti i klubit Çaykur Rizespor, Hasan Kartal: “Galatasaray dhe Fenerbahçe po interesohen për futbollistin Vedat Muriqi, por dy klubet ende nuk kanë bërë ofertë zyrtare për transferimin e tij”, kishte thene ai dite me pare.

Tani, “Sporx.com”, raporton se Galatasaray ka nisur bisedimet me Rizesporin: “Rizespor kërkon 5 milionë euro per Muriqin, kurse Galata deri më tani ka ofruar 3 milionë euro”.

Edhe Muriqi e ka pranuar interesimin e shumë klubeve evropiane, por thotë se deri më tani ofertë zyrtare ka pasur vetëm nga klubi francez, Toulouse FC.

Zyrtarisht kemi marr ofertë nga Toulouse. Ndoshta të tjerët s’po them se janë zyrtare, por janë në letër, ka disa oferta, por ende s’ka diçka zyrtare prej klubeve tjera”, tha Muriqi pas stërvitjes së dytë të Kosovës në “Fadil Vokrri”, te henen.

Përveç kësaj, Muriqi tha “jam duke pritur të kryhen këto ndeshje me Kosovën dhe të takohem me agjentin dhe më pas do të vendosim. Varet prej ofertave dhe po ashtu prej klubit ku kam edhe dy vite kontratë, sepse ata mund të mos duan që të më shesin”.